Reformë Gjithpërfshirëse një Domosdoshmëri Administrata Zgjedhore duhet të Çlirohet nga Ndikimi i Partive Politike

Tiranë, 15.09.2016. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ) vëzhgoi nga afër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 Shtatorit 2016, për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetar Bashkie në Bashkinë Dibër. Ky proces ishte shumë i rëndësishëm pasi organizohej vetëm një vit pas Zgjedhjeve Vendore 2015, fare pranë Zgjedhjeve Parlamentare 2017, por mbi të gjitha në prag të një reforme zgjedhore tejet të domosdoshme për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri, sipas standardeve ndërkombëtare të shumë kërkuara.

KZLNDQ akreditoi 10 vëzhgues afatgjatë, vullnetarë, për vëzhgimin e procesit zgjedhor, me fokus në fushatën zgjedhore, në punën e administratës zgjedhore në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve, si dhe në procesin e numërimit të votave. Këto faza të procesit zgjedhor kanë qenë vazhdimisht objekt i vëzhgimeve dhe rekomandimeve të vazhdueshme të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Dita e zgjedhjeve dhe procesi i numërimit të votave u karakterizuan nga përkushtimi i trupave të menaxhimit zgjedhor për të garantuar votën e qetë e të lirë të qytetarëve dibranë. Por fushata parazgjedhore u njollos me incidente të shumta, me kanosje e dhunë fizike dhe me pretendime për blerje votash.

Fushata për zgjedhjen e Kryetarit në Bashkinë Dibër u dominua nga palët politike, duke e shndërruar Dibrën në një sheshbetejë ku mbizotëronte ligjërata e ashpër politike, përçarëse dhe diskriminuese me akuza të ndërsjellta për blerje votash, përfshirje me krimin e organizuar dhe denigrimin tërësor të palës kundërshtare. Po kështu, nuk mungoi apatia e autoriteteve përkatëse për të hetuar dhe zbardhur të vërtetën për shumë aspekte të dyshimta, si një detyrim i rëndësishëm përpara qytetarëve dibranë e shqiptarë në përgjithësi.
Si gjithmonë, zëri i kandidatëve u dëgjua pak, për çfarë premtonin të bënin për problemet e shumta ekonomike e sociale të Bashkisë Dibër. Zbarkimi në Dibër i një pjese të kabinetit qeveritar dhe i udhëheqësve të opozitës, me premtime kryesisht për investime madhore, i la kandidatët në plan të dytë. Nuk u diskutua asnjë program bindës nga vetë kandidatët me afate kohore dhe buxhete përkatëse për të përmirësuar në tre vitet e ardhshme shumë aspekte të jetës së qytetarëve dibranë.

Përsa i përket organeve të administrimit zgjedhor, ishte i paprecedent ndryshimi i 98.3% të komisionerëve të qendrave të votimit një ditë përpara ditës së zgjedhjeve dhe më pas ndërrimi i pjesës më të madhe të numëruesve vetëm pak orë nga nisja e procesit të numërimit të votave.

Të gjitha këto taktika zgjedhore, të vjetra në realitetin shqiptar, rrezikojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve me standarte ndërkombëtare. Përcaktimi i komisionerëve të rinj në minutat e fundit, trajnimi i tyre i shpejtë, më shumë për pjesën teknike se sa për standardet, sollën vonesa në ndarjen e materialeve zgjedhore apo vonesa në numërimin e votave, sepse trajnimi i numëruesve u krye një orë përpara se të fillonte procesi i numërimit. Mbi të gjitha, zëvendësimi pa karar i komisionerëve tregon papërgjegjshmërinë e partive politike kundrejt shpenzimeve me vlerë të konsiderueshme monetare nga paratë publike, për trajnimin e atyre që ndërrohen. Një aspekt negativ i ndërrimit të komisionerëve ishte ndërprerja disa herë e procesit të numërimit për shkak të mbi lodhjes së disa numëruesve, të cilët me parë kishin shërbyer edhe si komisionerë në qendrat e votimit.

Prania e deputetëve të të dyja koaliconeve në Vendin e Numërimit të Votave dhe presioni në një formë a tjetër i ushtruar prej tyre kundrejt numëruesve dhe komisionerëve të ZAZ-së ngelet i pajustifikuar, përpos faktit që ndodh në kundërshtim me ligjin. Nevoja e ndërhyrjes së policisë për të nxjerrë nga Vendnumërimi i Votave përfaqësuesit politikë për ndërhyrjet e rrëmujën e shkaktuar ul standardin e proceseve zgjedhore dhe i rrezikon ato.

Përfaqësimi i grave në administratën zgjedhore në zgjedhjet në Dibër ishte i ulët. Vetëm 14 gra kundrejt 812 burrave ishin pjesë e komisioneve zgjedhore .

Administrata zgjedhore, përfshirë KQZ dhe KZAZ 19 kryen një punë të mirë për mbarëvajtjen e një procesi sipas standardeve në një situatë me afate ligjore të ngushta dhe në një klimë aspak bashkëpunuese nga ana e partive politike.

KZNLDQ dëshiron të përgëzojë qytetarët e Bashkisë Dibër për pjesëmarrjen e qetë e të konsiderueshme në rreth 60% në këto zgjedhje .

Zgjedhjet e Pjesshme të Kryetarit të Bashkise Dibër ritheksojnë për të disatën herë nevojën e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse, për depolitizimin e procesit dhe administratës zgjedhore dhe kthimin e procesit në duart e qytetarëve.

Bazuar në gjetjet e mësipërme dhe punës së vazhdueshme që KZLN kryen në territorrin e Shqipërisë që zgjedhjet të zhvillohen të lira e të ndershme e të arrijnë standardet e kërkuara, më poshtë po paraqesim disa rekomandime:
• KZLNDQ bën thirrje që Komisioni i ngritur për Reformën Zgjedhore të intensifikojë punën, duke përfshirë të gjitha palët e interesit, për të adresuar rekomandimet e vazhdueshme të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, por edhe sfidat e identifikuara gjatë

zgjedhjeve të fundit për të realizuar me sukses e sipas standardeve ndërkombëtare Reformën Zgjedhore dhe Kodin e Ri Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
• Si pjesë e Reformes Zgjedhore të pritshme, KZLN rekomandon përfshirjen e Kodit të Sjelljes mbi fushatat zgjedhore, i cili do të rregullojë sjelljen e aktorëve politikë, përfshi zyrtarët e lartë, gjatë proceseve zgjedhore.
• Të gjitha rastet e dhunës, kanosjes e kërcënimit gjatë një procesi zgjedhor dhe kundrejt votueseve apo subjekteve zgjedhore duhet të ndiqen dhe të hetohen menjëherë nga autoritetet përkatëse.
• Si pjesë e Reformës Zgjedhore, KZLN kërkon depolitizimin e pjesshëm ose të plotë të administratës zgjedhore në të gjitha nivelet e saj, me synimin e rritjes së pronësisë qytetare në proceset zgjedhore, administrimin më profesional dhe forcimin e besueshmërisë në proces.
• Përfaqësimi i barabartë i dy gjinive, pa anashkaluar kriteret profesionale, në administratën zgjedhore duhet të jetë një kusht i Reformës Zgjedhore.
• Prania e paautorizuar e deputetëve të Parlamentit dhe/apo të zyrtarëve të lartë të shtetit në mjediset e administratës zgjedhore gjatë një procesi zgjedhor duhet të jetë objekt ndëshkimi deri në heqje mandati.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLN) është një organizatë e pavarur, jopartiake, e krijuar me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe sigurimin e demokracisë së qendrueshme. KZLN u kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit, çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara si dhe çështjeve të barazisë gjinore në proceset zgjedhore. KZLN përbëhet nga 30 organizata partnere dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë Shqipërinë që kanë punuar në mbështetje të KZLN-së që prej vitit 2013.

Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni faqen www.kzln.org.al dhe/ose kontaktoni me e-mail: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.