Njoftim per shtyp - KZLN vëzhgon zgjedhjet në institucionet publike të arsimit të lartë

Tiranë, 18 Prill 2016 - Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qendrueshme (KZLN) do të vëzhgojë vullnetarisht zgjedhjet për Rektor, anëtarë të Senatit Akademik dhe drejtues të tjerë të institucioneve publike të arsimit të lartë, që do të zhvillohen në datë 20 Prill 2016.
Duke qenë se këto janë zgjedhjet e para gjithëpërfshirëse pas miratimit të Ligjit nr. 80/2015 ''Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë'', KZLN e konsideron të nevojshëm garantimin e standardeve demokratike në këto zgjedhje. KZLN beson se angazhimi i shoqërisë civile si një aktor i jashtëm i paanshëm në vëzhgimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave është një vlerë e shtuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe sigurimin e barazisë së votës.

 

KZLN është organizata e parë e shoqërisë civile që monitoron zgjedhjet në institucionet publike të arsimit të lartë duke shprehur angazhimin e plotë për zbatimin e parimeve të paanësisë, objektivitetit dhe profesionalizmit gjatë vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.
KZLN do të shpërndajë vëzhgues në qendrat e votimit të institucioneve publike të arsimit të lartë duke filluar nga ora ora 08:00 deri në përfundim të procesit të votimit në orën 16:00. Më tej, vëzhguesit e KZLN-së do të vëzhgojnë procesin e numërimit të votave në disa nga Komisionet Instutucionale Zgjedhore. Bazuar në eksperiencat e mëparshme të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, KZLN ka përgatitur grupin e trajnuar të vëzhguesve, të cilët do të plotësojnë pyetësorin e posaçëm hartuar në bazë të dispozitave ligjore që rregullojnë këto zgjedhje.
KZLN dhe Komisioni Institucional i Zgjedhjeve i Universitetit të Tiranës (KiZUT) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi e cila përfshin ndihmën që KZLN i ofron KiZUT për trajnimin e vëzhguesve të akredituar pranë këtij institucioni si dhe të drejtat dhe detyrimet e të dy palëve që rrjedhin në bazë të Rregullores "Për organizimin e zgjedhjeve të para për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikëne Shqipërisë".

KZLN është një organizatë e pavarur, jopartiake, e krijuar me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe sigurimin e demokracisë së qendrueshme. KZLN u kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit, çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara si dhe çështjeve të barazisë gjinore. KZLN përbëhet nga 30 organizata partnere dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë Shqipërinë që kanë punuar në mbështetje të KZLN-së që prej vitit 2013. KZLN ka vëzhguar me sukses zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 2013 dhe zgjedhjet vendore 2015 me vëzhgues vendor në të gjithë Shqipërinë.
Për më shumë informcion ju lutem kontaktoni skuadrën e KLZN-së në +355 69 5291923 ose Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa..