• Final-ConferenceZV2015
  • Rezultate-infografike-01

DEKLARATË - REZULTATET E VËZHGIMIT TË PROCESIT TË NUMËRIMIT NË QARKUN E TIRANËS - Zgjedhjet Parlamentare 2013

Tiranë, 27 Qershor 2013 - Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme (KZLN) ka kënaqësinë të raportojë se procesi i numërimit në Qarkun e Tiranës ka përfunduar me sukses në mbrëmjen e 26 Qershorit 2013, në një mjedis relativisht të qetë e të kontrolluar. Megjithëse procesi u karakterizua nga vonesa të theksuara, vëzhgimi tregoi se numërimi i votave ishte përgjithësisht i saktë dhe i drejtë në të gjitha 18 Vendet e Numërimit të Votave (VNV). Kjo shënon një përmirësim të ndjeshëm nga proceset e kaluara të numërimit dhe një hap pozitiv drejt thellimit të besimit të publikut në procesin zgjedhor.
KZLN dëshiron të përgëzojë daljen e udhëheqësve politikë të Shqipërisë me deklarata pajtuese pas evidentimit të rezultatit të zgjedhjeve, duke u finalizuar me fjalimin e kryeministrit Sali Berisha më 26 qershor mbi pranimin e rezultatit. Këto deklarata ndihmuan në zbutjen e tensioneve dhe shpresojmë të çojnë në një tranzicion politik të qetë dhe harmonik.

Në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, KZLN me keqardhje vëren se:

 

  • Personat me aftësi të kufizuar nuk do të kenë asnjë përfaqësues të tyre në Parlamentin e ardhshëm shqiptar.
  • Gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë të nënpërfaqësuara në Parlamentin e ardhshëm shqiptar, meqë do të përfaqësohen vetëm nga 25 deputete. E thënë ndryshe, 17.8 % e përbërjes së Parlamentit të ardhshëm shqiptar do të jenë gra e vajza, nga të cilat 14 përfaqësuese të Partisë Socialiste, 9 përfaqësuese të Partisë Demokratike dhe 2 përfaqësuese të LSI-së.

Gjetjet kryesore të KZLN-së për qarkun e Tiranës, të cilat janë rezultat i të dhënave të marra nga vëzhguesit tanë në të 18-të qendrat e numërimit të Qarkut, janë si më poshtë vijon:

  • Zyrtarët e administrimit të numërimit të votave, në masë të madhe, ndoqën rregullat dhe udhëzimet zgjedhore, edhe pse u identifikuan pushime të gjata e të paarsyeshme që shpesh vonuan procesin e numërimit. Për rrjedhojë, Qarku i Tiranës ishte nga të fundit që mbaruan numërimin e votave. Vëzhguesit e KZLN-së raportuan 18 raste, nga 13 VNV të ndryshme, të ndërprerjes së procesit të numërimit për më shumë se 15 minuta. Në shumë raste, procesi u pezullua për disa orë. Pezullimi në shumicën e rasteve erdhi nga pushimet e paplanifikuara të stafit të VNV-ve.
  • Vëzhguesit e partive politike më të mëdha, përfshirë Partinë Demokratike (PD), Partinë Socialiste (PS), Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), Frymën e Re Demokratike (FRD) dhe Aleancën Kuq e Zi, ishin të pranishëm në të gjitha VNV-të. Megjithëse vëzhguesit e partive në përgjithësi kanë kuptuar drejt rolin e tyre dhe nuk kanë ndërhyrë në proces, u raportuan 4 rasteve të trazimit të procesit nga ana e vëzhgueve të partive politike. Këto përfshinë debate të ashpra verbale mes vëzhguesve të partive apo mes tyre dhe stafit të KZAZ-ve, të cilat çuan në ndërprerje të procesit.
  • Në 83 % të VNV-ve në Qarkun e Tiranës, vëzhguesit e KZLN raportuan se ishin në gjendje të vëzhgonin të gjithë procesin dhe të merrnin informacion nga administrata zgjedhore. Në 3 VNV vëzhguesit e KZLN-në raportuan se u penguan në vëzhgimin e tërësisë së procesit të numërimit. Në shumicën e rasteve kjo ndodhi pasi vëzhguesit tanë nuk u lanë të hynin në qendrat e numërimit, me justifikimin se qendrat e numërimit ishin të mbipopulluara. Në zgjedhjet të ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të sigurohet që VNV-të të kenë hapësirë të mjaftueshme për të akomoduar të gjithë vëzhguesit e për të siguar se procesi i numërimit është plotësisht transparent.
  • (92%) e vëzhguesve tanë vërejtën se nga çfarë mund të vëzhgonin, zyrtarët e administrimit të numërimit të votave morën vendime të drejta në lidhje me fletët e pavlefshme.
  • Vëzhguesit raportuan vetëm 3 raste kur pati hyrje të personave të paautorizuar në qendrat e numërimit të votave në Qarkun e Tiranës, incidente të cilat u zgjidhën pa probleme.

KZLN do të përgatisë një raport final për të gjitha gjetjet në lidhje me monitorimin e zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit 2013 si dhe sugjerimet për të ardhmen.

KOALICIONI PËR ZGJEDHJE TË LIRA E TË NDËRSHME
Koaliconi për Zgjedhje të Lira e të Ndershme (KZLN) është një koalicion i pavarur, i krijuar nga tre organizata të shoqërisë civile shqiptare, me qëllim nxitjen e pjesmarrjes së qytetarëve në votime dhe vëzhgimin e proceseve zgjedhore. KZLN i kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit si dhe çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara dhe grave e vajzave votuese.
Veprimtaritë monitoruese të zgjedhjeve të KZLN-së, po asistohen nga Instituti Demokratik Amerikan NDI nëpërmjet fondeve të USAID-it, Agjencisë Austriake për Zhvillim e Bashkëpunim, Civil Rights Defenders, Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, dhe më e rëndësishmja, nismat e KZLN-së për Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013 po mbështeten nga qindra qytetarë shqiptarë, të cilët vullnetarisht po japin kontributin e tyre pranë KZLN-së.

Gjetjet e Koalicionit për Zgjedhje të Lira e të Ndershme mund ti gjeni në faqenwww.kzln.org

Për më shumë informacion, lutemi të kontaktoni:
Mirela Arqimandriti
Email: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.
Cel: 068 20 59 301
www.kzln.org
Facebook: Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme
Twitter: KZLN_CFFE_Albania