• Final-ConferenceZV2015
  • Rezultate-infografike-01

Deklaratë Paraprake mbi Procesin e Votimit në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2013 në Qarkun e Tiranës

PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE
Tiranë, 24 Qershor 2013 - Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme (KZLN) ka kënaqësinë të raportojë se procesi i votimit në qarkun e Tiranës u zhvillua i qetë dhe se nuk pati incidente që do të mund të ndikonin ndjeshëm në procesin e votimit. Raporti përfshin të dhënat e marra mbi ngritjen, hapjen dhe mbylljen e qendrave të votimit, si dhe procesin e votimit në terësi gjatë Ditës së Zgjedhjeve. Gjetjet kryesore të KZLN-së për qarkun e Tiranës, të cilat janë bazuar në një kampion statistikor prej 350 qendrash votimi me një interval besueshmërie prej 95% dhe një marzh gabimi prej 4.8% janë si më poshtë:

  • Me përjashtim të disa incidenteve të izoluara, përgjithësisht votuesit ishin në gjendje të hedhin votën e tyre në një atmosferë pa kërcenime apo dhunë në qendrat e votimit.
  • Pjesëmarrja në votime në Qarkun e Tiranës në këto zgjedhje ishte më e lartë se ajo e zgjedhjeve parlamentare 2009. Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 morën pjesë 58 % e votuesve të qarkut të Tiranës.
  • Zyrtarët e administrimit të zgjedhjeve në masë të madhe ndoqën rregullat dhe udhëzimet zgjedhore, edhe pse u identifikuan disa mangësi proceduriale, ku më e rëndësishmja ishte fakti që në 25 % të qendrave të votimit materialet propagandistike të fushatës nuk u hoqën në rrezen 150 metra rreth qendrave të votimit.
  • Vëzhguesit e tre partive politike më të mëdha – Partisë Demokratike (PD), Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Socialiste për Integrim (LSI)- ishin të pranishëm në 93.7% të qendrave të votimit dhe dorëzuan një numër të ulët ankimimesh zyrtare.
  • Një mangësi e përhapur ishte pamundësia e zgjedhësve me aftësi të kufizuar për të hyrë në qendrat e votimit dhe për të votuar në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë. Në 60 % të qendrave të votimit në qarkun e Tiranës mungonte aksesi për zgjedhësit me aftësi të kufizuar.
  • Nënpërfaqësimi i grave vazhdon të përbëjë shqetësim për KZLN-në pasi partitë politike nuk realizuan plotësisht angazhimin e tyre për të rritur përfaqësimin e grave në procesin zgjedhor. Mes të tjerash, njëzet e dy përqind (22 %) e Komisioneve të Qendrave të Votimit në Qarkun e Tiranës nuk kishin asnjë grua anëtare.
  • Votimi familjar u vëzhgua në të paktën 25 qendra votimi në qarkun e Tiranës, por nuk përfshiu një numër të madh votuesish.
  • Numërimi i votave ka filluar në disa nga vendet e numërimit të qarkut të Tiranës dhe vëzhguesit e koalicionit janë të pranishëm në VNV-të përkatëse. Koalicioni thekson se votat duhet të numërohen pa ndërprerje, saktë, dhe në një mjedis të qetë e të kontrolluar, që mbështet transparencën e plotë dhe zbatimin e procedurave.

KZLN dëshiron të falenderojë të gjithë vëzhguesit e saj për vullnetarizmin dhe përkushtimin e tyre për vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit 2013. Është ky shpirt vullnetarizmi që u mundëson grupeve qytetare të vëzhgimit ofrimin e informacionit të pavarur dhe jopartiak për publikun sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve. Pjesëmarrja aktive dhe e vazhdueshme e qytetarëve në proceset politike do të jetë vendimtare në avancimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri.

II. METODOLOGJIA
Në Qarkun e Tiranës, KZLN ka angazhuar 350 vëzhgues të pavarur në një kampion të rastësishëm dhe përfaqësues qendrash votimi, në mënyrë që gjetjet e KZLN-së të mund të përgjithësohen për të dhënë një panoramë të përgjithshme të procesit zgjedhor në të gjithë qarkun. Tirana u zgjodh si qarku më i madh në vend dhe si një qark me historik rezultatesh zgjedhore të kontestuara.
Kampioni i Koalicionit u shtresëzua sipas 18 ZAZ-ve në Qarkun e Tiranës, siç paraqitet në hartën më poshtë. Qendrat e votimit në secilën prej 18 ZAZ-ve u përzgjodhën në mënyrë rastësore. Kjo teknikë kampionimi bën që kampioni të jetë përfaqësues e i rastësishëm, dhe i mundëson Koalicionit një vlerësim të saktë dhe sistematik të procesit të votimit. Në bazë të të dhënave të marra, përfundimet e KZLN-së mbi Qarkun e Tiranës kanë një interval besueshmërie prej 95 % dhe një marzh gabimi prej 4.8 % për pjesën e analizës cilësore të procesit të votimit. Marzhi i gabimit për të dhënat sasiore të KZLN-së mbi pjesëmarrjen në zgjedhje është 0.81 %.

deployment-al

Të gjithë vëzhguesit e KZLN-së kanë marrë pjesë në një trajnim një-ditor, ku janë udhëzuar mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si vëzhgues qytetarë dhe janë trajnuar mbi përdorimin e sistemeve të specializara të raportimit dhe komunikimit që KZLN përdor.
Vëzhguesit e KZLN-së kanë vëzhguar të gjithë procesin e votimit, duke përfshirë procedurat e hapjes dhe mbylljes. I gjithë informacioni nga vëzhguesit është futur në një bazë të dhënash të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, e cila i lejoi KZLN-së analizimin e shpejtë të të dhënave të marra nga vëzhguesit dhe dallimin e incidenteve të izoluara nga ato që mund të sugjeronin një prirje të një shkalle më të madhe.
KLZN ka mbledhur dhe analizuar të dhëna mbi zbatimin e procedurave të votimit dhe protokolleve administrative nga ana e KQV-ve si dhe vlerësime cilësore mbi aksesin e votuesve dhe të drejtën e votës, për të ofruar një panoramë reale të procesit të votimit në qarkun e Tiranës.
KZLN gjithashtu ka angazhuar vëzhgues në të gjitha 18 Qendrat e Numërimit të Votave (QNV) në Tiranë. Vëzhguesit e KZLN-së do të jenë të pranishëm gjatë procesit të numërimit dhe KZLN do të mund ti ofrojë publikut një vlerësim të plotë të procesit të numërimit në Tiranë. Koalicioni e ka vlerësuar këtë informacion në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbajtjes demokratike të zgjedhjeve.

III. GJETJET E DITËS SË ZGJEDHJEVE
Administrata Zgjedhore
Në qarkun e Tiranës u vu re një numër i vogël problemesh administrative që mund të kishin një ndikim të ndjeshëm në procesin e votimit. Procesi i hapjes së qendrave të votimit në Qarkun e Tiranës ishte kryesisht i rregullt dhe përgjithësisht sipas rregullave dhe udhëzimeve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Janë raportuar vetëm një numër i vogël problemesh procedurale. Nëntëdhjetë-e-pesë përqind (95 %) e qendrave të votimit ishin pajisur me materialet e nevojshme për fillimin e procesit të votimit, si listat e zgjedhësve, fletët e votimit dhe vulat zyrtare.
Sipas të dhënave të KZLN-së, 96.3% e qendrave të votimit në Tiranë u hapën brenda 30 minutave të para, me vetëm 3.7 % e qendrave të votimit të hapura me vonesë (pas orës 7:30 të mëngjesit) ose me shumë vonesë (pas orës 8.00). Problemi më serioz i raportuar gjatë hapjes së qendrave të votimit në Qarkun e Tiranës ishte prezenca e materialeve të fushatës pasi në 25 % të qendrave të votimit në këtë qark, Komisionet e Qendrave të Votimit neglizhuan heqjen e materialeve propagandistike të fushatës në rrezen 150 m përpara hapjes së tyre, sic e kërkon Kodi Zgjedhor.
Nënpërfaqësimi i grave vazhdon të përbëjë shqetësim për KZLN-në pasi partitë politike nuk realizuan plotësisht angazhimin e tyre për të rritur përfaqësimin e grave në procesin zgjedhor. Ndër të tjera, njëzet-e-dy përqind (22 %) e Komisioneve të Qendrave të Votimit në Qarkun e Tiranës nuk kishin asnjë grua. Gjithashtu, vetëm 22 % e Qendrave të Votimit kryesoheshin nga një grua.
Edhe procesi i votimit përgjithësisht kaloi pa incidente serioze apo shkelje procedurale. Në përgjithësi, votuesit dhe komisionerët kanë qenë të njohur me procedurat e votimit dhe i kanë zbatuar ato me përpikmëri. Administruesit e votimit kontrolluan gishtat për bojë, siguruan paraqitjen nga ana e votuesit e një dokumenti të vlefshëm identifikimi dhe nuk lejuan votimin e personave që nuk duhej të votonin.
Listat e votuesve ishin përgjithësisht të sakta. Në 91.1 % të qendrave të votimit në qarkun e Tiranës, asnjë ose më pak se 5 zgjedhës kanë shkuar të votojnë dhe nuk e kanë gjetur emrin në listë (1-5).
Mbyllja e qendrave të votimit gjithashtu u zhvillua e qetë dhe pa incidente serioze.
Gjatë ditës së votimit, Koalicioni nuk ka marrë asnjë raportim të pengimit të vëzhguesve të tij në vëzhgimin e procesit apo të mohimit të informacionit. Koalicioni dëshiron të falënderojë të gjithë zyrtarët e qendrave të votimit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vëzhguesve të tij.

Votimi familjar
U vërejtën raste të përsëritura të votimit familjar, ku zgjedhësit votojnë për anëtarë të familjes që nuk janë prezentë ose për anëtarë të familjes që janë në qendrën e votimit, të cilët nuk kanë nevojë për asistencë në votim. Kështu, sipas raportimeve që ka marrë koalicioni, rezulton se në të paktën 25 qendra votimi ka pasur raste të lejimit të votimit familjar. Votimi familjar ka qenë më i theksuar në zona rurale të administruara nga KZAZ 43, 29, dhe 30. Kjo është një shkelje e qartë e procedurave të votimit.

Votuesit me Aftësi të Kufizuar
Të gjithë zgjedhësit kanë të drejtë të votojnë në mënyrë të lirë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë. Megjithëse Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u përpoq të marrë masa për të garantuar këto të drejta për votuesit me aftësi të kufizuara, rezultatet e vëzhgimit treguan se ky proces nuk u administrua në kohë dhe siç duhet, për shkak të planifikimit jo të mirë dhe në kohën e duhur.
Gjetjet tregojnë se 49.5% e qendrave të votimit ishin krejtësisht të papërshtatura për të mundësuar hyrjen e lirë të personave me aftësi të kufizuara në qendrën e votimit. Ndërkohë, u raportua se më shumë se gjysma e qendrave të votimit (67.3%) nuk kishin marrë masa për të garantuar përshtatshmërinë për personat me aftësi të kufizuara fizike në ambjentin e brendshëm, si përmes dhomave të fshehta të përshtatshme.
KQZ njoftoi mbi planet për hartimin dhe shpërndarjen e mjeteve të posaçme për votuesit e verbër, por nuk arriti t'i prodhojë ato në kohë. Për rrjedhojë, në asnjë prej qendrave të vëzhguara nuk kishte mjete të posacme, të cilat do t'u mundësonin votuesve të verbër votim të drejtpërdrejtë e të fshehtë.
Numri i personave me aftësi të kufizuara të cilët ju drejtuan qendrave të votimit të vëzhguara për të ushtruar të drejtën e tyre të votës ishte 1187. Vetëm gjysma e tyre (587) mundën të votojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë ndërsa pjesa tjetër patën nevojë për asistencë në votim. U identifikuan 20 raste ku asistenca e ofruar nuk ishte në përputhje me Kodin Zgjedhor të RSH dhe standarteve ndërkombëtare.
Koalicioni thekson se ka një numër faktorësh që dekurajojnë pjesëmarrjen në votime të personave me aftësi të kufizuara. Ato përfshijnë: a)mungesën e alternativave për të mundësuar votim për zgjedhësit me aftësi të kufizuara që nuk mund të lëvizin nga shtëpitë e tyre; b)mungesën e përshtatshmërisë së qendrave të votimit dhe njëkohësisht mungesën e transportit të përshtatur; c) kuadrin ligjor frenues për garantimin e të drejtës për të votuar për zgjedhësit më aftësi të kufizuara mendore; d) mungesën e shërbimeve mbështetëse etj.
Këto faktorë, duhet të merren në konsideratë dhe të adresohen në zgjedhjet e ardhshme.

Vëzhguesit e Partive Politike
Vëzhguesit e partive politike ishin të pranishëm në 98,8% të qendrave të votimit në Qarkun e Tiranës. Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishin vëzhgues në respektivisht 96.3%, 97.9%, dhe 92% të qendrave të votimit në këtë qark. Partia Fryma e Re Demokratike kishte vëzhgues në 53.4% të qendrave të votimit, ndërsa Aleanca Kuq e Zi ka pasur vëzhgues në 28.5% të qendrave të votimit në Qarkun e Tiranës. Nga shumica e tyre (93.2%) nuk është paraqitur asnjë ankesë zyrtare me shkrim gjatë proceseve të hapjes, votimit apo mbylljes.

Dhuna dhe Frikësimi
Votuesit ishin përgjithësisht në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një atmosferë të qetë, pa kërcënime apo akte dhune në qendrat e votimit. Koalicioni ka marrë raportime për 10 raste dhune në afërsi të qendrave të votimit në qarkun e Tiranës. Këto raste, më së shumti përfshinë përkrahësit e partive politike dhe shpesh çuan në një pezullim të shkurtër të procesit të votimit në ato qendra ku u shfaqën. Megjithatë, ato nuk patën një ndikim të ndjeshëm në tërësinë e procesit të votimit.

Pjesëmarrja në Zgjedhje
Bazuar në të dhënat e Koalicionit, pjesëmarrja e votuesve në qarkun e Tiranës ishte 58.3%, për një nivel besueshmërie 95% dhe një marzh gabimi prej 0,81%. Ky nivel pjesëmarrjeje është më i lartë se ai i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, në të cilat pjesëmarrja ishte 50.77 %.

KOALICIONI PËR ZGJEDHJE TË LIRA E TË NDËRSHME
Koaliconi për Zgjedhje të Lira e të Ndershme (KZLN) është një koalicion i pavarur i krijuar nga tre organizata jofitimprurëse shqiptare me qëllim nxitjen e pjesmarrjes së qytetarëve në votime dhe vëzhgimin e proceseve zgjedhore. Koalicioni i kushton vëmendje të veçantë çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara dhe votueset femra.
Veprimtaritë monitoruese të zgjedhjeve të KZLN-së, po asistohen nga Instituti Demokratik Amerikan NDI nëpërmjet fondeve të USAID-it, Agjencisë Austriake për Zhvillim e Bashkëpunim, Civil Rights Defenders, Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, dhe më e rëndësishmja, nismat e KZLN-së për Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013 po mbështeten nga qindra qytetarë shqiptarë, të cilët vullnetarisht po japin kontributin e tyre pranë KZLN-së.
Gjetjet e Koalicionit mund ti gjeni në faqen www.klzn.org.