• Final-ConferenceZV2015
  • Rezultate-infografike-01

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme Raporti i dytë - Procesi i Votimit në Qarkun e Tiranës

23 qershor, 18:00 - Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme (Koalicioni) ka shpërndarë 350 votues në një kampion të rastësishëm dhe përfaqësues qendrash votimi në Qarkun e Tiranës. Përveç raportimit mbi procesin e votimit, vëzhguesit e Koalicionit raportojnë në mënyrë të menjëhershme mbi çdo incident që mund të këtë ndikim të ndjeshëm në procesin e votimit në qendrën e votimit ku vëzhgojnë.

  • Deri në orën 5.30, Koalicioni ka marrë 70 raportime incidentesh nga vëzhguesit në 69 qendra. Shumica e incidenteve të raportuara pranë Koalicionit janë të izoluara dhe nuk duket se reflektojnë prirje të një shkalle më të madhe. Incidenti i raportuar më shpesh ishte lejimi i votimit të personave për një votues tjetër, në shumicën e rasteve, për një anëtar të familjes.
  • Vëzhguesit e Koalicionit kanë raportuar 16 raste të votimit familjar në 13 qendra votimi, të cilat kanë prekur rreth 50 votues. Kjo përbën një shkelje të qartë të Kodit Zgjedhor dhe të gjitha rastet e votimit familjar duhet të hetohen.
  • Koalicioni gjithashtu ka regjistruar 25 raste ku personat që asistojnë votuesit të cilët nuk votojnë dot në mënyrë të pavarur nuk kanë firmosur deklaratën përkatëse në qendrën e votimit.
  • Nga të dhënat që ka marrë Koalicioni rezulton se në të paktën 5 qendra votimi ka pasur rreth 30 raste sporadike ku votuesit nuk janë kontrolluar për timbrosje të gishtave me bojën përkatëse, ose ku votuesit nuk janë timbrosur nga Komisioni. Këto rezultojnë të jenë gabime administrative, por ato duhet të adresohen në mënyrë që të mos vihet në diskutim rregullshmëria e procesit. Në dijeninë e Koalicionit ka problem vetëm me një qendër, qendra 2072, e cila nuk është pajisur me bojë për realizimin e këtij procesi.

Vëzhguesit e Koalicionit kanë dorëzuar 50 komente me shkrim mbi incidentet e vëzhguara në qendrat e votimit ku janë vendosur. Koalicioni do të dalë me një raport paraprak ditën e hënë, ora 12.00. Më shumë informacion mbi procesin e votimit gjendet në www.kzln.org. Na ndiqni gjithashtu në Facebook dhe Twitter.

Koaliconi për Zgjedhje të Lira e të Ndershme (KZLN) është një koalicion i pavarur i krijuar nga tre organizata jofitimprurëse shqiptare me qëllim nxitjen e pjesmarrjes së qytetarëve në votime dhe vëzhgimin e proceseve zgjedhore. Koalicioni i kushton vëmendje të veçantë çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara dhe votueset femra.

Veprimtaritë monitoruese të zgjedhjeve të KZLN-së, po asistohen nga Instituti Demokratik Amerikan NDI nëpërmjet fondeve të USAID-it, Agjencisë Austriake për Zhvillim e Bashkëpunim, Civil Rights Defenders, Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, dhe më e rëndësishmja, nismat e KZLN-së për Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013 po mbështeten nga qindra qytetarë shqiptarë, të cilët vullnetarisht po japin kontributin e tyre pranë KZLN-së. 

Për më shumë informacion, lutem kontaktoni:
Mirela Arqimandriti
Email: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.
Cel: 068 20 59 301
www.kzln.org
Facebook: Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme
Twitter: KZLN_CFFE_Albania